Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu tha se vrasja në lokalin ‘Cobra City’ në Prizren, u krye nga Dibran Hoxha dhe u bë për të treguar forcën personave që nuk i binden urdhrave të tij.
Në gjykimin ndaj Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra” dhe të tjerëve, para gjykatës për vrasjen që ka ndodhur në vitin 2023 në klubin e natës “Cobra City” në Prizren, janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë lidhur me këtë rast.
Prokurorja Speciale, Habibe Salihu në fjalën përfundimtare tha se është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Sipas PSRK-së, e tërë ngjarja ka ndodhur për shkak të një fature prej rreth 400 euro për disa pije. Kjo sipas prokurorisë dëshmohet dhe vërtetohet në bazë të deklaratave që i kanë dhënë të dëmtuarit përmes mundësisë hetuese të veçantë.
Sipas PSRK –së në atë lokal nuk kishte qenë Dibran Hoxha por të akuzuarit e tjerë. I njëjti ishte njoftuar nga njëra prej punëtorëve që është duke ndodhur një incident në lokal.
Më tej sipas PSRK-së, Dibran Hoxha ka ardhë në lokal dhe nuk i ka interesuar dëmi që e kanë shkaktuar të dëmtuarit, i njëjti pasi ka kuptuar për tollovinë ka marrë armën ka dalë jashtë lokalit dhe ka gjuajtur në drejtim të dëmtuarve ku njëri ndër ta e vret viktimën V.C.
Sipas Prokurorisë Speciale, Dibran Hoxha e ka kryer këtë veprim për të treguar forcën e tij pasi i njëjti gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm në atë territor dhe ka dashur ta tregoj forcën ndaj personave që nuk i binden urdhrave të tij.
Prokurorja Habibe Salihu ka thënë se këtë vepër i akuzuari Dibran Hoxha e ka kryer me dashje, me gjakftohtësi, i qetë dhe i armatosur me dy pistoleta ka shtënë katër herë në drejtim të viktimave.
“Nuk ka asnjë dilemë se veprën penale të vrasjes e ka kryer Dibran Hoxha. Sepse vrasjen e kryer nga Dibrani u argumentu me prova, është kryer në mënyrë mjaftë të vrazhdë, në mënyrë që e kanë përshkruar edhe dëshmitarët e tjerë se në momentin kur i njëjti ka hy në lokal, nuk i ka interesuar fare arsyeja e shkaktimit të këtij konflikti.” – tha prokurorja Salihu.
“Vërtetohet edhe kur dëshmitarja e njofton Dibran Hoxhën që ka ndodh një tollovi në lokal edhe kur vjen, Dibranit nuk i intereson fare arsyeja për çka u bë tollovia, e ka marrë armën dhe ka dalë nga lokali dhe ka shtënë në drejtim të palëve të dëmtuara, ku është vrarë V.C. Gjuajtja e tij më armë në drejtim të palëve të dëmtuara, nuk kanë pas raporte të më hershme.”-tha me tej prokurorja.
Sipas prokurores vrasja ka qenë më qëllim të tregimit të forcës nga ana e të akuzuarit Hoxha.
“Vrasja ka qenë më qëllim me tregu forcën pasi gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm, ka dashtë me tregu forcën ndaj personave që nuk i binden urdhrave të tjera”-tha prokurorja.
“Kamerat kanë punuar dhe kanë qenë funksionale, kurse veprimet e të akuzuarit Ronald Susuri, bien ndesh me deklaratën e një dëshmitares që ka thënë se kamerat kanë qenë funksionale” – tha me tej prokurorja.
Prokurorja Salihu me tej tha se i akuzuari Roland Susuri ka qenë pikërisht personi i cili ishte marrë DVR-in, dhe e ka fshehur, si dhe këtë veprim të tij e ka konfirmuar edhe dëshmia e njërit prej të akuzuarve tjerë në këtë rast.
Sipas PSRK-së, i akuzuari Roland Susuri është larguar i pari nga lokali “Cobra City”, pasi ka ndodhur rasti.
Me tej prokurorja në fjalën e saj përfundimtare tha se armët dhe kamerat që kanë qenë ndër provat më të rëndësishme në procedurë që janë fshehur para se të arrijnë policia, ku i akuzuari Roland Susuri, e ka kryer me vetiniciatë kurse i akuzuari Burim Mazreku me kërkesë të akuzuarit Dibran Hoxhës.
“Armët dhe kamerat që kanë qenë ndër provat më të rëndësishme në procedurë që i kanë fshehur para se me ardhë policia, i akuzuari Roland Susuri, i cili e ka kryer me vetiniciativë, kurse Burimi me kërkesë të Dibran Hoxhës, i cili edhe vetë e ka pranu” – tha prokurorja.
Me tej prokurorja Habibe Salihu tha se meqenëse në veprimet e të akuzuarve është vërtetuar bindshëm së kanë kryer veprat penale dhe i propozoi Gjykatës që të merr për bazë rrethanat rënduese për secilin të akuzuar për të kaluarën e tyre kriminale.
Me theks të veçantë, Salihu ka potencuar faktin se Dibran Hoxha ka edhe 17 aktgjykime të formës së prerë.
Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues), Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismaili (anëtarë).
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024, të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të të akuzuarit “Cobra City”, në Prizren.
Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata të cilët e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, që rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsvyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Dibran Hoxha – Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsvyatkova.
Dosja thotë më pas se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V.C., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë Prokuroria e ngarkon me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jesmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”./Kallxo.com
Be First to Comment