Prokuroria e Tiranës ka zbardhur në detaje mekanizmin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, një ngjarje e paprecedentë që tronditi opinionin publik më 6 tetor, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit.
Për herë të parë, janë bërë publike edhe fjalët e fundit të shkëmbyera në sallë, vetëm sekonda para krimit.
Sipas dosjes hetimore, tensioni kishte arritur kulmin kur Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar Elvis Shkambi, iu drejtua gjyqtarit me fjalët:
“Po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty, që ti je…”
Gjyqtari Kalaja, i qetë, u përgjigj:
“Vazhdo ti, vazhdo…”
Kaq mjaftoi. Në atë moment, Elvis Shkambi nxori një pistoletë nga brezi dhe hapi zjarr drejt gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi live, para disa personave të pranishëm në sallë, përfshirë Ragip dhe Ervis Kurtajn, të cilët ishin palë në procesin gjyqësor për një çështje pronësie.
Sipas dëshmisë së Ervis Kurtajt, ata tentuan të largoheshin, por autori qëlloi edhe në drejtim të tyre. Ervisi u plagos në krahun e djathtë, ndërsa i ati, Ragipi, mori një plumb në brinjë.
Dëshmia e Gjon Shkambit
Gjon Shkambi mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar para prokurorëve:
“Jam viktimë në këtë rast, nuk kam vrarë njeri, nuk kam ditur gjë. Me nipin, Elvisin, kemi një pronë të përbashkët, për të cilën ishim në gjyq.”
Çfarë zbuloi hetimi?
Provat e sekuestruara janë tronditëse:
Pistoletë me mbishkrimin “Welt Waffen W Germany, Cal. 7.65 mm, Browning”, me një fishek në fole dhe dy në krëhër. Automjeti “Mercedes-Benz” AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambit, i gjetur në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë. Brenda makinës u gjetën 31 fishekë kalibri 9 mm, të cilët ekspertët i kanë identifikuar si fishekë manovër.
Prokuroria po heton nëse kemi të bëjmë me një plan të mirorganizuar, një shpërthim të momentit, apo një konflikt për pronat që degjeneroi në një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare.
Be First to Comment