Skip to content

“Jo unë, qytetari i Fushë Kosovës vendos kush do të jetë kryetari” – Tërnava i PDK-së sqaron deklaratën, tregon për ofertat e para për koalicione

Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Fushë Kosovë, ndërsa në balotazh kanë kaluar dy partitë e para, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Një ditë më parë, në disa media u raportua se kandidati i PDK-së, Rrahim Tërnava, kishte deklaruar se “ai vendos kush do të jetë kryetari i ardhshëm”. Mirëpo, në një prononcim për Insajderi, Tërnava e mohoi këtë, duke sqaruar se vetëm qytetari është ai që vendos me votë për kryetarin.

“Unë nuk kam thënë se vendos kush do të jetë kryetar, sepse kryetarin e zgjedh qytetari me votë, jo unë. Unë jam një votë si të gjithë të tjerët. Ajo që kam thënë është se në bazë të koalicionit, mund të ndikojë drejtimi kah shkon vota, por jo që unë vendos”, tha Tërnava.

I pyetur për mundësitë e koalicioneve pas zgjedhjeve, ai konfirmoi se kanë nisur ofertat, por nuk deshi të zbulojë nga cilat parti.

“Ka pasur tendenca për të na dhënë oferta, por për momentin nuk jemi marrë me to. Jemi duke pritur rezultatet përfundimtare të KQZ-së. Pastaj do të ulemi dhe do të shqyrtojmë çdo mundësi. E kemi krejt kohën e botës për të vendosur për koalicionet”, shtoi ai.

Sipas numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, qytetarët e Fushë Kosovës do të votojnë përsëri më 9 nëntor. Kjo pasi që asnjë nga kandidatët nuk arriti të fitojë garën që në raundin e parë.

Në këtë garë, Valon Prebreza nga Vetëvendosje me 45,14% të votave, ose 9,529 vota, ndërsa pas tij u rendit Besnik Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 36,62% të votave, ose 7,730 vota.

Ndërkaq, Rrahim Tërnava nga PDK-ja arriti t’i sigurojë 3 mijë e 392 vota./Insajderi

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *